Komuna e Bujanocit ka nisur zyrtarisht procesin për hartimin e Planit Lokal të Veprimit për të Rinjtë, një dokument kyç që synon të krijojë politika konkrete për fuqizimin e brezit të ri në këtë komunë.
Takimi hapës u mbajt në Sallën e Kuvendit Komunal, ku të pranishëm ishin përfaqësues të rinisë, organizatave lokale dhe udhëheqës komunalë, përfshirë edhe vetë kryetarin e komunës, Arbër Pajaziti, i cili dha një mesazh të qartë:
“Rinia jonë është potenciali më i madh që kemi. Ky plan nuk do të mbetet letër, do të jetë udhërrëfyes për veprim konkret, bashkë me vetë të rinjtë,” shkroi Pajaziti në rrjetet sociale.
Ky proces vjen në një kohë kur të rinjtë e Bujanocit shpesh ndihen të margjinalizuar, ndërsa investimet nga qeveria qendrore në këtë komunë kanë qenë të pakta. Plani synon ta ndryshojë këtë realitet, me fokus në pjesëmarrje, mundësi dhe politika zhvillimore për rininë.