Në kuadër të aktiviteteve për muajin e ndërgjegjësimit kundër kancerit të gjirit – “Tetori Rozë”, përfaqësues të Drejtorisë së Shëndetësisë në Gjilan, në bashkëpunim me ekipin e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) dhe Zyrën e Punësimit, kanë mbajtur sot një ligjëratë vetëdijësuese në Qendrën e Aftësimit Profesional.
Fokus i këtij takimi ishte rëndësia e parandalimit dhe e zbulimit të hershëm të kancerit të gjirit, si një hap vendimtar për mbrojtjen e shëndetit të grave dhe vajzave.
Gjatë këtij aktiviteti, përfaqësuesit shprehën falënderime të veçanta për drejtorët, Mujedin Zylfijaj dhe Petrit Vokshi, për mikpritjen dhe bashkëpunimin e tyre të vlefshëm në realizimin e kësaj ligjërate.
Përveç mesazheve shëndetësore, gjatë takimit u nënvizua edhe rëndësia e aftësimit profesional të grave dhe vajzave si një hap kyç drejt pavarësisë ekonomike, fuqizimit dhe krijimit të mundësive të barabarta në shoqëri.
Përmes kurseve profesionale dhe mbështetjes për punësim, ato pajisen me njohuri e shkathtësi që u mundësojnë të ndërtojnë një të ardhme më të sigurt për veten dhe familjet e tyre.
“Një grua e aftësuar është një grua me më shumë mundësi, më shumë pavarësi dhe më shumë fuqi për të vendosur për të ardhmen e saj,” u theksua gjatë këtij takimi.
Në fund, u përcolli mesazhi kryesor i fushatës drejtuar të gjitha grave: “Kontrollohu për veten, për jetën!”
