BUJQËSI/Haziri (LDK): Subvencionet e bujqësisë nuk po mbulojnë as kostot e punimit të tokës

Muhadin Haziri, këshilltar komunal i LDK-së në Gjilan nga Zona e Karadakut, ka reaguar ashpër ndaj situatës në sektorin e bujqësisë, duke thënë se politikat aktuale janë të shkëputura nga realiteti me të cilin përballen fermerët çdo ditë në ara.

​Përmes një reagimi publik, Haziri ka prezantuar disa nga shpenzimet kryesore me të cilat po përballen bujqit, duke krahasuar mbështetjen e shtetit me koston reale të prodhimit.

Sipas tij, ndonëse një fermer merr 300 euro subvencion për hektar, vetëm përgatitja e tokës, plehërimi dhe korrja kushtojnë rreth 370 euro.

Ai ka përmendur gjithashtu çmimin e naftës prej rreth 1.80 euro për litër, si dhe çmimin e dorëzimit të grurit në mulli prej 0.17 euro për kilogram, ku aplikohet edhe 3 për qind zbritje nga vlerësimi.

​Haziri ka ngritur shqetësimin edhe për dëmet nga fatkeqësitë natyrore, duke theksuar se vetëm 15 minuta breshër mund ta ulin rendimentin nga 3.500 kilogramë për hektar në vetëm 250 kilogramë, duke rrezikuar kështu edhe farën për mbjelljet e ardhshme të vjeshtës.

Ai ka kritikuar kërkesat e institucioneve për rendimente të larta në kushte të tilla, duke i cilësuar llogaritjet zyrtare si jorealiste.

​Në fund të reagimit të tij, këshilltari i LDK-së ka deklaruar se situata e tanishme po u kujton fermerëve kohërat e vështira të së kaluarës dhe se bujqit kanë nevojë për mbështetje të menjëhershme e të drejtë për dëmet reale, e jo për premtime të papërmbushura.

Shpërndaj me të tjerët