SHËNDETËSI/Nga e hëna fillon vaksinimi kundër gripit sezonal në Komunën e Gjilanit

Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare “Dr. Nagip Rexhepi” në Gjilan ka njoftuar qytetarët se është furnizuar me kontingjentin e vaksinave kundër gripit sezonal, ndërsa procesi i vaksinimit do të startojë zyrtarisht të hënën, më 26 tetor 2026.

​Sipas njoftimit, vaksinimi do të zhvillohet gjatë ditëve të punës, në orarin nga 07:00 deri në 14:00, në të gjitha qendrat e mjekësisë familjare si në zonën urbane, ashtu edhe në ato rurale të komunës.

​Autoritetet shëndetësore rekomandojnë vaksinimin veçanërisht për kategoritë më të ndjeshme të popullatës, ku përfshihen punëtorët shëndetësorë, personat mbi moshën 65-vjeçare, personat me sëmundje kronike pa dallim moshe, gratë shtatzëna si dhe fëmijët.

​Me qëllim të mbarëvajtjes së këtij procesi, QKMF u bën thirrje qytetarëve që t’i drejtohen qendrës së mjekësisë familjare ku përkasin sipas zonimit territorial dhe ku zakonisht kryejnë kontrollet mjekësore.

​Të gjithë qytetarët që paraqiten për marrjen e vaksinës duhet të jenë të pajisur me një dokument valid identifikimi (letërnjoftim).

Shpërndaj me të tjerët