Asambleistja e Kuvendit Komunal të Gjilanit nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Malikie Ymeri Hoxha, ka reaguar ashpër për gjendjen e rëndë të infrastrukturës rrugore në qytet.
Përmes një reagimi në llogarinë e saj, ajo i ka bërë thirrje publike Komunës së Gjilanit dhe veçanërisht Drejtorisë së Shërbimeve Publike që të ndërhyjnë urgjentisht në terren për sanimin e rrugëve.
Ymeri Hoxha ka veçuar disa nga rrugët më kritike që kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme, si rruga “Isa Bajrami”, “Hamdi Berisha” dhe “Dalip Dalipi”.
Reagimi i plotë i asambleistes Malikie Ymeri Hoxha:
“DERI KUR KËSHTU, GJILAN?!
Rrugët në gjendje të mjerueshme nuk mund të vazhdojnë të injorohen!
Si asambleiste e Kuvendit Komunal të Gjilanit, i bëj thirrje publike Komunës së Gjilanit, e në veçanti Drejtorisë së Shërbimeve Publike, që të ndërhyjë urgjentisht për rregullimin e rrugëve.
Rruga ‘Isa Bajrami’, ‘Hamdi Berisha’ dhe ‘Dalip Dalipi’ janë vetëm disa nga rrugët që kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme.
Qytetarët nuk meritojnë arsyetime e premtime, por punë konkrete! Komuna duhet të dalë në terren dhe të marrë përgjegjësi. Problemet nuk zgjidhen duke i injoruar, por duke vepruar!
Gjilani meriton më shumë!”
