Jorganpunuesit (jorganxhinjtë) përfaqësojnë një zeje të vjetër prodhuese të tekstilit, e cila në rajonin tonë ka prejardhje nga koha e sundimit osman, periudhë kur njohu edhe lulëzimin më të madh.
Në Kosovë kjo mjeshtëri ushtrohej më tepër në Gjakovë e Prizren, ndërsa këtë zeje në Gjilan e ushtronin kryesisht mjeshtër me prejardhje pikërisht nga Gjakova.
Jorganxhinjtë e Gjilanit njiheshin për punimin tërësisht manual të jorganëve, jastëkëve dhe dyshekëve të mbushur me pambuk ose lesh të pastër, të cilët mbështilleshin me pëlhura dhe zbukuroheshin me ornamente të ndryshme.
Veglat e tyre të punës ishin vizorja, gërshërët, unazat metalike, gjilpëra, penjtë e posaçëm dhe shkopi për rrahjen e pambukut.
Pas Luftës së Dytë Botërore, në rrugën e tanishme “Adem Jashari”, punëtoritë e tyre i mbanin dy familje të njohura mjeshtëresh:
Vëllezërit Gërqari: Hysen A. Gërqari (i pajisur me leje pune që nga viti 1953), së bashku me vëllezërit e tij, Hasanin dhe Mustafën.
Përveç veprimtarisë zejtare, vëllezërit Gërqari ishin edhe anëtarë të Shoqërisë Kulturo-Artistike “Drita” në Gjilan, ku Mustafa dallohej si këngëtar në grupin muzikor të kësaj shoqërie.
Jakup Jakupi-Mahmuti (Jakup Jorganxhiu): I njohur nga të gjithë si “Gjakovali”, me dyqanin e tij afër Ramadan Xhamxhiut.
Axha Jakup ishte një nga figurat më popullore të qytetit: trupxhuxh, i plotë e me beretë në kokë, orator i lindur e plot me mesele, i cili tubonte rreth vetes zanatlinjtë e tjerë.
Ai shquhej si një tregtar mjaft i zhdërvjellët, që me fjalët e tij të zgjedhura “sikur e hipnotizonte blerësin”, sidomos gjatë ditëve të pazarit e panairit.
Me kalimin e kohës, përveç jorganëve e jastëkëve, ai filloi të prodhonte edhe shilte për dhomat e ndejës.
Me nisjen e prodhimit industrial të jorganëve dhe shitjes së tyre në dyqanet e atëhershme të “16 Nëntorit”, si dhe me ndryshimin e standardeve jetësore, kërkesa për punimet manuale nisi të bie gradualisht.
Kjo solli edhe mbylljen e dyqanit të Jakup Jorganxhiut, duke shënuar kështu fundin e kësaj zejeje dhe largimin e mjeshtrit të fundit të jorganëve në Gjilan.
(Shënim: Më gjerësisht rreth zejes së jorganxhinjve mund të lexoni në librin “Zejtaria e Gjilanit”)./ dita24h /
