SPORT/Drita s’ka të ndalur, mposht bindshëm Fer Volley-n

KV Drita ka konfirmuar edhe një herë dominimin e saj në Superligën A të volejbollit të femrave, duke shënuar një fitore të madhe dhe të pastër në derbin e javës së gjashtë ndaj Fer Volley.

​Ndeshja, e cila u zhvillua në palestrën e Kamenicës, u karakterizua nga një lojë e shkëlqyer e gjilanaseve, të cilat nuk lanë hapësirë për surpriza, duke triumfuar me rezultatin 3-0 në sete (25:18, 25:14, 25:14).

​Që nga fërshëllima e parë, vashat e Dritës morën kontrollin e lojës. Seti i parë solli një angazhim më të madh nga të dyja skuadrat, por bardhekaltrat menaxhuan epërsinë për ta mbyllur 25:18.

Në dy setet e radhës, diferenca në cilësi u reflektua edhe në rezultat, me Dritën që dominoi plotësisht duke i fituar të dyja me nga 25:14.

​Me këtë fitore të radhës, KV Drita mbetet skuadra e vetme e pamposhtur në elitën e volejbollit kosovar, duke dëshmuar formën e lartë dhe ambiciet e qarta për këtë edicion garues./dita24h/

Shpërndaj me të tjerët