Që në fëmijëri kishte një dashuri të madhe për artin skenik dhe një qëllim të qartë në jetë: të bëhej aktor. Sot, pas një rrugëtimi të gjatë e të suksesshëm profesional, Ali Demi mbetet një nga emrat më të njohur dhe më të çmuar të skenës teatrale në Gjilan e më gjerë.
Hapat e parë dhe identiteti artistik
I lindur më 2 janar 1971 në Gjilan, ku përfundoi shkollimin fillor dhe të mesëm, Demi ndoqi studimet për aktrim në Akademinë e Arteve në Prishtinë, në klasën e profesorit të njohur Enver Petrovci. Hapat e parë skenikë si student i bëri me angazhime në shfaqjet e Teatrit “Dodona” si dhe në skenën e Gjilanit, për të nisur nga viti 1999 karrierën e tij profesionale si pjesë e ansamblit rezident të Teatrit të Gjilanit.
Përveç talentit dhe përkushtimit në skenë, Ali Demi në Gjilan njihet edhe për stilin e tij unik. Që në moshë të re ai vendosi të lëshonte flokët e gjata, duke mos i shkurtuar më kurrë – një element që me kalimin e viteve u shndërrua në imazhin e tij të natyrshëm e identifikues si artist.
Rrugëtimi i pasur skenik dhe rolet e spikatura
Përgjatë dekadave në skenë, Ali Demi ka interpretuar dhjetëra role kryesore e bartëse në shfaqje që kanë lënë gjurmë te publiku. Rrugëtimi i tij artistik përfshin personazhin e Profesorit në shfaqjen “Shihemi n’gjyq”, I burgosuri me regji të Muharrem Sylejmanit në “Froni”, Zezaku në “Lavirja e respektueshme” me regji të Liridon Cahanit, Pensioneri në “Një natë në Hotel” nën regji të Muharrem Sylejmanit, si dhe Batisten në “Miza në vesh” me regji të Atdhe Gashit.
Vazhdimësia e karrierës së tij u shënua edhe me role të fuqishme si Prifti te “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur” dhe vetë Dr. Gjilpëra te “Dr. Gjilpëra”, të dyja me regji të Milto Kutalit, si dhe Beselami te “Beselam pse më flijojnë” me regji të Sokol Angjeli. Ai ka interpretuar gjithashtu Benvolion te “Romeo dhe Xhulieta” dhe I huaji te “Të huajt” nën regjinë e Tony Greit & Margaret Higings, Zoti te “Ëndërr apo Zgjëndërr” me regji të Muharrem Sylejmani, Koloneli te “Revolja” dhe Dr. Frojdi te “Pacienti i Dr. Frojdit” me regji të Erson Zymberit, si dhe Ugri Abazin te “Ligatina” me regji të Ismajl Ymerit.
Repertori i tij i pasur skenik përfshin edhe rolin e Talit te “Vegullia” me regji të Fadil Hysaj, Jezusin te “Darka Publike” dhe Dragani te “Ditëlindja” me regji të Agim Selimit, Lilushi te “Gomari Deversant” me regji të Jeton Ahmetaj, Djali te “Mysafiri i mallkuar” dhe Arsimi te “Ausvajzi” me regji të Muharrem Sylejmani, I çmenduri te “Teatri n’pazar” me regji të Erson Zymberit, Inspektori te “Trokitja” me regji të Elmaze Nura, Babibobi te “Sakati nga Inishmani” dhe Dan te “Togeri nga Inishmori” me regji të Ilir Bokshit e Shkelzen Berishës, Intelegjenca te “UN Inspektori” me regji të Fatos Berisha, si dhe role në shfaqjet “Fausti” (regji: Fadil Hysaj), “God bless America” (regji: Fatos Berisha), “Syri Publik” (regji: Shkelzen Berisha) dhe “Kabare 1999” (regji: Zana Hoxha). Krahas aktrimit, ai ka kontribuar edhe si asistent regjisor në shfaqjen “Shfaqja që shkon keq” nën regji të Ilir Bokshit, si dhe është angazhuar në shfaqje për fëmijë e kukulla si “Si filloi lufta e majmunit me krokodilin”, “Picrraku”, “Tomi dhe Xheri”, “Shtëpia prej bore” dhe “Cilindri Magjik”.
Kinematografia dhe suksesi ndërkombëtar
Në fushën e filmit dhe serialeve televizive, Demi është prezantuar me role si Atdheu te seriali “Cimerat” (regji: Burim Haliti), personazhi në filmin “Qiell i trazuar” (regji: Anton Ndrecaj), Josse te “Sha je be tu folën” (regji: Erson Zymberi), Talic te “Misioni 192” (regji: Burim Haliti), Muja te seriali “Rrugët e lirisë”, si dhe rolin ndërkombëtar të Aplios në filmin “Ilyricvm” me regji të Simon Bogojevic, premierë e cila u mbajt në “Pula Film Festival”.
Vlerësimet dhe kontributi në udhëheqjen e Teatrit
Përkushtimi i tij ndaj artit është kurorëzuar edhe me vlerësime publike. Në vitin 2008 ai u shpall aktori më i mirë në Teatrin e Gjilanit, duke u nderuar me mirënjohje nga Komuna e Gjilanit, ndërsa nga marsi i vitit 2010 deri më 2016 ka ushtruar me sukses detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Teatrit të Gjilanit./dita24h /
