LOKALE/Bashkëpunim për mjedis të sigurt, Policia dhe shkolla në Dobërçan bëhen bashkë

Dobërçan, 3 nëntor 2026 – Me qëllim të rritjes së sigurisë dhe mbrojtjes së nxënësve, sot në Shkollën e Mesme të Ulët “Nazim Hikmet” në Dobërçan u mbajt një takim i rëndësishëm pune ndërmjet drejtuesve të shkollës dhe zyrtarëve të Policisë së Kosovës.

​Sekretarja e shkollës, Vlora Govori, së bashku me koordinatorin për sigurimin e cilësisë, Rexhep Arifi, pritën në takim përfaqësuesit e Policisë në Komunitet, Sami Robelli dhe Adile Shabani.

​Gjatë këtij takimi vëmendje e veçantë iu kushtua çështjeve kryesore që ndërlidhen me sigurinë në mjediset e shkollës dhe në komunitetin rrethues.

Po ashtu, palët diskutuan për përditësimin e Planit Emergjent të shkollës, me synim forcimin e masave parandaluese dhe rritjen e gatishmërisë për reagim efektiv në situata emergjente.

​Në fund të takimit, të pranishmit u dakorduan që bashkëpunimi ndërmjet shkollës dhe Policisë së Kosovës të vazhdojë e të thellohet edhe më tej, në mënyrë që të garantohet një ambient i sigurt dhe i shëndetshëm për nxënësit, stafin arsimor dhe të gjithë komunitetin.

​Udhëheqja e shkollës shprehu mirënjohje dhe falënderime të veçanta për Policinë e Kosovës për përkushtimin, mbështetjen e vazhdueshme dhe bashkëpunimin e shkëlqyer, duke ritheksuar se siguria është përgjegjësi e përbashkët. /dita24h/

Shpërndaj me të tjerët