Gjilan, 3 nëntor 2026 – Spitali i Përgjithshëm i Gjilanit shënon një arritje historike në fushën e shërbimeve shëndetësore.
Për herë të parë, në këtë spital kanë nisur të realizohen ndërhyrjet kirurgjike për vendosjen e protezave totale të gjurit dhe të kërdhokullës, të siguruara nga Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës (SHSKUK).
Sot, drejtori i përgjithshëm i spitalit, Dr. Afrim Cana, ka kontaktuar personalisht pacientët e parë nga lista e pritjes, duke i ftuar për t’iu nënshtruar këtyre operacioneve jetësore për lëvizshmërinë dhe shëndetin e tyre.
Ky zhvillim përbën një kthesë të rëndësishme drejt avancimit të shërbimeve ortopedike, duke u mundësuar qytetarëve të Anamoravës që të marrin trajtim bashkëkohor, cilësor dhe afër vendbanimit të tyre, pa pasur nevojë të udhëtojnë larg apo të presin gjatë.
Menaxhmenti i spitalit thekson se përkushtimi mbetet i palëkundur drejt ngritjes së standardeve: shërbim më cilësor dhe kujdes maksimal për çdo pacient./dita24h/
