Ranillug, 5 nëntor 2026 – Njësiti i Task Forcës i përbërë nga Dogana e Kosovës dhe Policia e Kosovës ka ndërmarrë një aksion të suksesshëm në fshatin Korminjan të Komunës së Ranillugut, ku është parandaluar kontrabandimi i mallrave nga Serbia.
Operacioni u zhvillua në kuadër të Planit Operativ “Gatishmëria Vepruese 2026”, pas vëzhgimit intensiv dhe vendosjes së pritave policore në rrugët malore alternative.
Gjatë këtij aksioni, autoritetet kanë ndaluar tre traktorë të tipit Rakovica pa targa regjistrimi, të cilët po transportonin mallra të kontrabanduara nga fshati Konçul i Serbisë në drejtim të Korminjanit. Janë arrestuar tre persona të dyshuar, shtetas të Republikës së Kosovës të nacionalitetit serb.
Në mjetet e ndaluara është zbuluar një sasi e larmishme mallrash komerciale dhe teknologjike, përfshirë 144 arka me birra të markave të ndryshme, 250 kilogramë mish të bluar, dy thasë me suxhuk dhe 324 pula të gjalla.
Po ashtu, janë sekuestruar edhe pajisje teknologjike, si dy printerë profesionalë, shtatë pajisje të rrjetit MikroTik dhe gjashtë monitorë kompjuteri 24-inçësh.
Vlera paraprake e tregut të mallrave të sekuestruara llogaritet të jetë mbi 10,000 euro, kurse tre traktorët dhe rimorkiot e improvizuara gjithashtu janë konfiskuar.
Me urdhër të prokurorit kompetent, rasti po hetohet nga Njësia e Hetimeve Rajonale e Drejtorisë Rajonale të Kufirit – Jugu.
Dogana dhe Policia e Kosovës kanë bërë të ditur se do të vazhdojnë operacionet kundër çdo aktiviteti të paligjshëm që cenon sigurinë dhe ekonominë e vendit.
