Një histori e jashtëzakonshme frymëzimi dhe krenarie kombëtare ka prekur majat e suksesit botëror në zemër të Gjenevës. Rexhep Rexhepi, djaloshi i lindur në vitin 1987 në Zhegër të Gjilanit, ka arritur të ngjitet në majën më të lartë të botës së orëndreqjes luksoze zvicerane.
I rritur me dashurinë e gjyshes në Zhegër, ndërsa babai i tij punonte në kurbet, Rexhepi u shpërngul në Gjenevë në moshën 12-vjeçare.
Pa e ditur gjuhën dhe përballë sfidave të mëdha të jetës në emigrim, ai nuk e mendonte se një ditë emri i tij do të gdhendrej me shkronja të arta krah gjigantëve më të mëdhenj botërorë.
Rrugëtimi i tij drejt suksesit nisi si adoleshent gjatë praktikës në shtëpinë e njohur “Patek Philippe”, për të vazhduar me përvojën te “François-Paul Journe”.
Në vitin 2012, kur ishte vetëm 25 vjeç, ai mori guximin të hapte punëtorinë e tij personale në Gjenevë, duke vënë në pah talentin e tij unik dhe përkushtimin e pashoq.
Sot, krijimet e tij mbajnë një vlerë marramendëse që kap shifrën e miliona eurove, ndërsa në duart e tyre i mbajnë edhe krerë shtetesh e personalitete nga më të pasurit në botë.
Mbrëmjen e 7 nëntorit, në ngjarjen prestizhoze “Grand Prix d’Horlogerie de Genève”, që njihet ndryshe si “Oskarët e orëve”, ora e tij “Chronograph Flyback” u kurorëzua me çmimin kryesor të të gjithë mbrëmjes, “Aiguille d’Or”.
Rexhepi la prapa emra me famë botërore si Audemars Piguet, Chopard e Louis Vuitton, duke dëshmuar se me punë e pasion arrihen edhe pamundësitë.
Nga rrugët e Zhegrës në vendin e parë të botës, rrugëtimi i Rexhep Rexhepit mbetet një histori e madhe krenarie për Gjilanin dhe mbarë popullin shqiptar.dita24h/
