ARSIM/Nxënësja nga Gjilani, Eni Ademi fiton Çmimin e Parë dhe vlerësimin “Young Virtuoso Award”

Sukses i jashtëzakonshëm në Vjenë: Nxënësja nga Gjilani, Eni Ademi fiton Çmimin e Parë dhe vlerësimin “Young Virtuoso Award”

​Nxënësja e Shkollës së Muzikës në Gjilan, Eni Ademi, nga klasa e pianos e profesoreshës Dafina Bajrami, ka shënuar një tjetër arritje të madhe ndërkombëtare në garën prestigjioze “Balkan International Piano Competition – Vienna 2026”, ku morën pjesë garues nga 28 shtete të botës.

​Në këtë kompeticion, ajo arriti të fitojë Çmimin e Parë (First Prize) në kategorinë e saj të moshës, duke dëshmuar nivel të lartë të interpretimit pianistik.

Përveç këtij çmimi, Eni u nderua edhe me vlerësimin e veçantë “Young Virtuoso Award” gjatë Gala Finales së garës, e cila u mbajt mbrëmë (20 nëntor) në sallën e njohur “Mozarthaus” në Vjenë.

​Në njoftimin e Shkollës së Muzikës në Gjilan theksohet se këto arritje janë dëshmi e talentit, përkushtimit dhe punës së vazhdueshme të nxënëses, duke i sjellë krenari shkollës, qytetit të Gjilanit dhe mbarë Kosovës.

Njëherësh, shkolla ka uruar Enin dhe profesoreshën e saj, Prof. Dafina Bajrami, për këtë sukses dhe përfaqësimin dinjitoz në skenën ndërkombëtare. /dita24h/

Shpërndaj me të tjerët