NËNTORI KUQ E ZI/Flamuri gjigant me Adem Jasharin dhe Agim Ramadanin zbukuron Gjilanin

Festat e Nëntorit kanë sjellë gjallëri, kurreshtje dhe kreativitet në mbarë qytetin e Gjilanit, ku përveç hapësirave publike, edhe lokalet private janë kujdesur që t’i japin qytetit një pamje sa më madhështore dhe simbolike.

​Një nga detajet që ka tërhequr më së shumti vëmendjen e kalimtarëve në Gjilan është një flamur gjigant kombëtar me shqiponjën dykrenare, i cili në brendësi të tij mban të stampuara portretet e dy figurave emblematike të historisë sonë të re: komandantit legjendar, Adem Jashari, dhe strategut të shquar nga Gjilani, Agim Ramadani.

​Ky kombinim simbolik, i vendosur në një prej lokaleve të qytetit, ka ngjallur interesim të madh tek qytetarët, duke shërbyer si një kujtesë e gjallë për sakrificën, trimërinë dhe kontributin e heronjve të kombit në prag të shënimit të 28 Nëntorit.

​Kreativiteti i tillë nëpër bizneset dhe lokalet e Gjilanit tashmë është bërë pjesë e pandashme e atmosferës së Nëntorit, duke pasuruar imazhin festiv të qytetit dhe duke përcjellë mesazhe krenarie e respekti për vlerat kombëtare. /dita24h/

Shpërndaj me të tjerët