Në prag të festave të Nëntorit, Ndërmarrja Publike Lokale “Tregu” ka vendosur flamujt kombëtarë dhe flamujt e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në shenjë respekti dhe nderimi për datat dhe figurat historike që kanë shënuar rrugëtimin drejt lirisë dhe pavarësisë.
Përmes një njoftimi zyrtar, kjo ndërmarrje ka bërë të ditur se kjo iniciativë është tashmë një traditë e përvitshme për të nderuar vlerat, identitetin dhe krenarinë kombëtare.
“Datat kombëtare që kanë rëndësi të veçantë për historinë, identitetin dhe krenarinë tonë, i kemi respektuar dhe nderuar gjithmonë.
Edhe këtë vit, në prag të festave të Nëntorit, kemi vendosur flamujt kombëtarë dhe flamujt e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në shenjë respekti për ngjarjet dhe figurat që shënuan rrugën tonë drejt lirisë”, thuhet në njoftimin e NPL “Tregu”.
Më tej, theksohet simbolika e shumëfishtë e 28 Nëntorit, që bashkon Ditën e Flamurit dhe Pavarësinë e Shqipërisë, daljen publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si dhe ditëlindjen e komandantit legjendar, Adem Jashari.
“Përmes këtij aktiviteti, nderojmë dhe kujtojmë përpjekjet, sakrificën dhe qëndresën ndër breza, nga epoka e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, deri te historia më e re e Kosovës, që kulmoi me luftën për liri dhe sakrificën e atyre që dhanë gjithçka për atdheun”, përfundon njoftimi, duke uruar qytetarët për festat e Nëntorit./dita24h/
