SHËNDETËSI/Pas 45 vitesh me mantel të bardhë, pensionohet infermierja gjilanase Lirije Hyseni

Pas një përvoje të gjatë 45-vjeçare në shërbim të pacientëve, është pensionuar infermierja e njohur gjilanase, Lirije Hyseni.

​Karrierën e saj profesionale ajo e kishte nisur në vitin 1980 në ambulancën e Vitisë, ku punoi për më tepër se dy muaj, për të vazhduar më pas për pesë muaj në Repartin e Pediatrisë në Gjilan.

Më vonë, rrugëtimi i saj vazhdoi në ambulancën kryesore në Gjilan, ku për pesë vite mbajti edhe detyrën e kryeinfermieres.

​Gjatë dekadave të punës, Hyseni ka shërbyer edhe si koordinatore e QKMF-së në Shëndetin Mendor, ka punuar 15 vite si asistente e stomatologjisë, ndërsa 10 vitet e fundit të karrierës i kaloi si infermiere e vizitave shtëpiake për këshillimin e nënave dhe fëmijëve, ku edhe përmbylli me sukses punën e saj.

​Me këtë rast, drejtoresha e Drejtorisë për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale në Gjilan, Mimoza Kadriu, ka vlerësuar lart kontributin dhe përkushtimin e saj shumëvjeçar.

​“Isha e nderuar që sot, në cilësinë time si drejtoreshë e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, të përcjell në pension infermieren Lirije Hyseni, e cila për 45 vite me radhë ushtroi profesionin e infermierisë me përkushtim, përgjegjësi dhe humanizëm të lartë. Përgjatë gjithë këtyre viteve, ajo nuk ofroi vetëm kujdes shëndetësor, por edhe këshilla, mbështetje, fjalë inkurajuese dhe shpresë për çdo pacient”, ka shkruar Kadriu.

​Tutje, ajo ka shprehur mirënjohjen në emër të institucionit për trashëgiminë profesionale të lënë pas.

​“Drejtoria për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale shpreh mirënjohjen dhe respektin e saj për gjithë kontributin e infermieres Lirije në shërbim të qytetarëve tanë, duke i uruar shëndet, lumturi dhe shumë vite të bukura pranë familjes. Faleminderit për çdo ditë pune në këtë institucion, për çdo pacient që jeni kujdesur për të dhe për trashëgiminë profesionale e vlerat e larta etike që mbollët te gjeneratat e reja si profesioniste shëndetësore!”, përfundon mesazhi i drejtoreshës Kadriu./dita24h/

Shpërndaj me të tjerët