SHËNDETËSI/Onkologu gjilanas Dr. Arben Bislimi ka udhëheq Konferencën Mbarëkombëtare të Onkologjisë

Onkologu i njohur kosovar nga Gjilani, Dr. Arben Bislimi, njëherësh kryetar i Shoqatës së Onkologëve të Kosovës (SHOK) dhe organizator kryesor i kësaj ngjarjeje, ka udhëhequr punimet e Konferencës së II-të Mbarëkombëtare për Kancerin e Gjirit dhe Mushkërive.

Kjo konferencë u organizua nga SHOK-u, Klinika e Onkologjisë pranë QKUK-së dhe Komiteti Organizativ, në bashkëpunim me Shoqatën e Onkologëve të Shqipërisë.

​Punimet e kësaj ngjarjeje të rëndësishme shkencore u përmbyllën dje, më 20 nëntor 2026. Mbrëmja e parë e konferencës nisi me ceremoninë solemne hapëse, gjatë së cilës u ndanë mirënjohje për bashkëpunëtorët, kontribuuesit dhe sponsorët që mbështetën realizimin e këtij organizimi.

​Ndërkaq, dita e dytë iu kushtua tërësisht programit profesional, duke përfshirë ligjërata, panele dhe diskutime të frytshme shkencore.

Përmes një qasjeje ndërdisiplinore, ekspertët trajtuan temat më aktuale që lidhen me menaxhimin e kancerit të gjirit dhe mushkërive, si dhe avancimin e kujdesit paliativ.

​Në këtë konferencë dhanë kontributin e tyre profesionistë të shquar të shëndetësisë nga Prishtina, Tirana dhe Shkupi, të shoqëruar edhe nga kolegë e ekspertë ndërkombëtarë nga Italia dhe Turqia.

​Në përmbyllje të punimeve, organizatorët dhe pjesëmarrësit u zotuan për vazhdimin e bashkëpunimit të ngushtë dhe ruajtjen e traditës së organizimit të takimeve të tilla mbarëkombëtare, me synim shkëmbimin e përvojave dhe ngritjen e cilësisë së shërbimeve onkologjike./Dita 24h/

Shpërndaj me të tjerët