KULTURË/Shkodra, poezi e mrekullisë, kujtesës dhe harmonisë

Në poezinë „Shkodra“, Avdush Canaj ndërton një peizazh lirik ku natyra, miti, arti dhe kujtesa personale shkrihen në një tërësi të ngrohtë dhe plot dritë.

Përmes imazheve të buta dhe personifikimeve të gjetura,  si qielli që lahet në liqen si fëmijë me flokët e krehur nga pulëbardhat, apo kalaja që hap dritaret dhe pikturon mrekullinë, autori e shndërron hapësirën gjeografike në një botë të gjallë e çplodhëse.

Rritja e „djalit të Rozafës“ që vrapon pas fluturave sjell një ndjesi çlirimi dhe vazhdimësie jetësore, ndërsa muzika e Pjetër Gacit, kënga me babain dhe vajza e qëndisur nga hëna në „vetull të Bunës“ e pasurojnë tablonë me dimensione emocionale, kulturore dhe ëndërrimtare që e bëjnë Shkodrën të përjetueshme si përjetim shpirtëror.

SHKODRA
Avdush CANAJ

Në Shkodër
qielli lahet në liqen
si fëmijë
flokët ia krehin pulëbardhat

Në Shkodër
djali i Rozafës është rritur
vrapon pas fluturave

Zogjtë nuk fluturojnë
vallëzojnë me violinën e Pjetër Gacit*

Kalaja hap dritaret
pikturon mrekullinë

Edhe unë këndova me babain
kur m’i mikloi faqet Shkodra

Kjo vajzë me fustan të kaltër
qëndisur nga hëna
në vetull të Bunës.
——
*Kompozitor i njohur shkodran

Shpërndaj me të tjerët