Në kuadër të aktiviteteve “Dyert e hapura”, nxënësit e klasave të teta dhe të nënta të shkollës fillore “Rexhep Elmazi” në Gjilan kanë vizituar të martën Shoqatën Ndërkomunale të të Verbërve në Gjilan.
Ata u pritën nga kryetari i shoqatës, Bajram Spahiu, i cili para nxënësve demonstroi përdorimin e shkopit të bardhë, lojën e golballit, si dhe prezantoi shërbimet, trajnimet dhe sesionet që zhvillohen me komunitetin.
Kjo vizitë u vlerësua si një mësim i rëndësishëm për jetën dhe veprimtarinë e komunitetit, duke përcjellë mesazhin se respekti, dashuria, mirëkuptimi dhe barazia nuk kanë kufij.
Aktiviteti edukativo-arsimor u organizua nën udhëheqjen e prof. mr. Nezir Beqiri, së bashku me mësimdhënëset Mirsije Kryeziu dhe Shemsije Demi, të cilët u falënderuan për angazhimin dhe përkushtimin e tyre.
“Arsimi nuk është vetëm të mësosh nga librat, por edhe të mësosh të kuptosh, të respektosh dhe të pranosh njëri-tjetrin”, u theksua me këtë rast./dita24h/
