LOKALE/NPL “Tregu” në frymën e festave të Nëntorit, vendosen flamujt kombëtarë dhe ata të UÇK-së

Në prag të festave të Nëntorit, Ndërmarrja Publike Lokale “Tregu” ka vendosur flamujt kombëtarë dhe flamujt e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në shenjë respekti dhe nderimi për datat dhe figurat historike që kanë shënuar rrugëtimin drejt lirisë dhe pavarësisë.

​Përmes një njoftimi zyrtar, kjo ndërmarrje ka bërë të ditur se kjo iniciativë është tashmë një traditë e përvitshme për të nderuar vlerat, identitetin dhe krenarinë kombëtare.

​“Datat kombëtare që kanë rëndësi të veçantë për historinë, identitetin dhe krenarinë tonë, i kemi respektuar dhe nderuar gjithmonë.

Edhe këtë vit, në prag të festave të Nëntorit, kemi vendosur flamujt kombëtarë dhe flamujt e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në shenjë respekti për ngjarjet dhe figurat që shënuan rrugën tonë drejt lirisë”, thuhet në njoftimin e NPL “Tregu”.

​Më tej, theksohet simbolika e shumëfishtë e 28 Nëntorit, që bashkon Ditën e Flamurit dhe Pavarësinë e Shqipërisë, daljen publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si dhe ditëlindjen e komandantit legjendar, Adem Jashari.

​“Përmes këtij aktiviteti, nderojmë dhe kujtojmë përpjekjet, sakrificën dhe qëndresën ndër breza, nga epoka e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, deri te historia më e re e Kosovës, që kulmoi me luftën për liri dhe sakrificën e atyre që dhanë gjithçka për atdheun”, përfundon njoftimi, duke uruar qytetarët për festat e Nëntorit./dita24h/

Shpërndaj me të tjerët