LOKALE/Policia dhe Spitali i Gjilanit forcojnë bashkëpunimin për reagim më të shpejtë në raste emergjente

Drejtori i Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjilan, Nënkolonel Luan Keka, së bashku me stafin e tij, ka pritur sot në takim pune Drejtorin e Spitalit të Përgjithshëm të Gjilanit, Dr. Afrim Cana, dhe bashkëpunëtorët e tij.

​Fokusi kryesor i këtij takimi ishte avancimi i koordinimit ndërinstitucional për rritjen e sigurisë dhe efikasitetit gjatë reagimit në raste emergjente.

Të dy drejtuesit vlerësuan rëndësinë e shkëmbimit të shpejtë të informatave dhe komunikimit të drejtpërdrejtë mes zyrtarëve policorë dhe ekipeve mjekësore, me qëllim të garantimit të ndërhyrjes sa më të shpejtë dhe efektive në terren.

​Gjatë takimit, Nënkolonel Keka shprehu falënderimet dhe mirënjohjen e tij për Dr. Canën dhe stafin e Spitalit të Gjilanit për mbështetjen e vazhdueshme, veçanërisht në realizimin e kontrolleve sistematike shëndetësore për personelin policor, si dhe ekzaminimet mjekësore të kandidatëve gjatë proceseve të rekrutimit.

​Të dyja palët u zotuan për thellimin e bashkëpunimit dhe organizimin e aktiviteteve të përbashkëta, të cilat do të jenë në funksion të mbrojtjes së jetës së qytetarëve dhe mbështetjes së ndërsjellë mes stafit shëndetësor dhe atij policor.

​Në përfundim të takimit, në shenjë respekti dhe vlerësimi për bashkëpunimin e ngushtë ndërinstitucional, Dr. Afrim Cana i ndau mirënjohje Drejtorit të Policisë Rajonale në Gjilan, Nënkolonel Luan Keka. /dita24h

Shpërndaj me të tjerët