Trajneri i njohur nga Lugina e Preshevës, Sadat Pajaziti, ka marrë drejtimin sportiv të klubit nga Kastrioti, FC KEK.
Ish-timonieri i Dritës, Gjilanit dhe shumë skuadrave të njohura shqiptare, është emëruar në pozitën e Menaxherit të Përgjithshëm për Zhvillimin dhe Organizimin Sportiv të klubit, si pjesë e një projekti të ri me vizion afatgjatë.
Pajaziti sjell me vete një përvojë të pasur në futbollin e Kosovës dhe Shqipërisë, pasi më herët ka qenë pjesë e klubeve si SC Gjilani, FC Drita, FC Drenica, KF Vëllaznimi, KF Teuta, KF Apolonia dhe FK Kukësi.
Në karrierën e tij spikat arritja në finalen e Kupës me Dritën, si dhe rikthimi i vetë FC KEK-ut në Superligën e Kosovës në sezonin 2017/2018 pas një serie prej 18 ndeshjesh radhazi pa humbje.
Në kuadër të detyrës së tij të re, trajneri nga Tërnoci i Madh i Bujanocit do të jetë përgjegjës për hartimin e strategjisë afatgjatë të Akademisë, koordinimin profesional të të gjitha grupmoshave, zbulimin e talenteve të reja, si dhe planifikimin sportiv të ekipit të parë dhe afrimin e futbollistëve cilësorë.
Objektivi kryesor i këtij angazhimi është ndërtimi i një ure të fortë lidhëse mes Akademisë dhe ekipit të parë, me qëllim të rikthimit të klubit nga Kastrioti aty ku e ka vendin. /dita24h/
