GJILAN – Në Zyrën e Punësimit në Gjilan është mbajtur sot një sesion informues dedikuar Programit të Vetëpunësimit, ku qytetarët e interesuar u njohën nga afër me mundësitë e mbështetjes financiare për hapjen e bizneseve të reja.
Gjatë këtij takimi, zyrtarët përgjegjës prezantuan në detaje kriteret e aplikimit, procedurat që duhen ndjekur, si dhe mundësitë e përfitimit nga grantet që kapin vlerën deri në 6,000 euro.
Kjo skemë mbështetëse ka për qëllim t’u ndihmojë punëkërkuesve që idetë e tyre inovative t’i shndërrojnë në biznese konkrete dhe të qëndrueshme.
Nga Zyra e Punësimit në Gjilan vlerësojnë se një ide e mirë e biznesit, e shoqëruar me informimin e duhur dhe mbështetjen financiare, përbën hapin e parë drejt suksesit në tregun e punës.
Të gjithë të interesuarit ftohen të paraqiten pranë Zyrës së Punësimit në Gjilan për informim, këshillim dhe dorëzim të aplikacioneve, pasi afati i fundit për aplikim është data 30 nëntor 2026./dita24h/
