Leon Sopi, 16 vjeç, ka filluar të merret me boks amator para dy vitesh, dhe atë krejt rastësisht, pa e menduar ndonjëherë se kishte talent për këtë sport luftarak.
Në një ditë të zakonshme, gjatë një sparingu me një të afërm që merrej me boks, Leoni shfaqi elemente të natyrshme dhe afinitet të veçantë për këtë sport. Aty merr edhe shtytjen e parë: i afërmi i tij i thotë menjëherë, duhet të fillosh të ushtrosh boks.
Që nga ajo ditë, Leoni është pjesë e klubit “Lionis Boxing” në Zürich të Zvicrës dhe stërvitet deri në 5 herë në javë. Përkushtimi i tij i jashtëzakonshëm nuk kalon pa u vërejtur, trajnerët e dallojnë menjëherë talentin e tij dhe e fusin në kalendarin e garave.
Në meçin e parë zyrtar, Leoni del fitues pa ndonjë problem, duke treguar kontroll, disiplinë dhe inteligjencë në ring.
Stili dhe cilësitë
Leoni është 1.80 metra i gjatë dhe aktualisht garon në kategorinë e lehtë deri në 65 kg. Ai karakterizohet për: gardë të fortë dhe mbrojtje inteligjente, goditje nga distanca, falë trupit shtatlartë dhe qëndrim të matur dhe të qëndrueshëm në ring
Dëshira e tij është që, me shumë punë dhe disiplinë, të kalojë nga amator në profesionist brenda 2-3 viteve dhe t’ia dëgjohet emri në arenën ndërkombëtare.
Frymëzimi dhe rrënjët
Boksieri i tij i preferuar është legjenda Muhamed Ali, ndërsa nga shqiptarët më së shumti e ka pëlqyer Luan Krasniqin.
“Mënyra e punës, vullneti, përkushtimi dhe mbështetja e prindërve më japin forcë dhe motiv shtesë që shumë shpejt të bëhem një emër i njohur në botën e boksit”, thotë Leoni.
Edhe pse i lindur dhe rritur në Zvicër, ai krenohet me prejardhjen nga Gjilani, dhe është i vetëdijshëm se boksi ka qenë gjithmonë një nga sportet më të dashura për shqiptarët. Ai shpreson që një ditë të jetë pjesë e listës së emrave shqiptarë që po dominojnë arenën evropiane e botërore të boksit.