Mjeshtri i arit që preku zemrat më shumë se xhevahiret

 

Nga mësues në klasë, te mjeshtër në argjendari

Në vitin 1978, sapo kishte përfunduar Shkollën e Lartë Pedagogjike në Gjilan dhe kishte marrë titullin mësues i mësimit klasor, Hafiz Emërllahu,  i njohur nga të gjithë si Fizi, nisi punën si mësues në fshatin Litesh të Zarbincës. Pas një viti përvojë në arsim, ai u thirr për shërbimin ushtarak në ish-Jugosllavi dhe pas kthimit, zgjodhi të japë kontributin e tij pikërisht në vendlindje.

Në vitin 1980 u caktua mësues në fshatin Priboc, në një paralele të ndarë të shkollës fillore “Skënderbeu” në Zarbincë, ndërsa nga viti 1981 deri më 1983 u rikthye si mësues në shkollën amë në Zarbincë. Me zemër dhe përkushtim të madh, ai e ushtroi me dashuri profesionin e mësimdhënësit.

Kur pasioni për arin u shndërrua në profesion

Qysh nga viti 1981, përveçse si mësues, Fizi filloi të punonte edhe në tregun e devizave në Gjilan për të plotësuar të ardhurat, meqë paga e mësuesve kishte nisur të devalvohej. Kjo e çoi drejt kompleksit të argjendarisë, ku duke ndihmuar një mik të tij, filloi ta mësojë këtë zeje dhe shpejt u dashurua me të.

Në vitin 1984, bashkë me të ndjerin Haki Hoxha, Fizi hapi një lokal të përbashkët të argjendarisë në Gjilan. Pas më shumë se tre vitesh ortakëri, në vitin 1987 ai vendosi të hapë lokalin e tij të pavarur, të cilin e pagëzoi me emrin “FIZI”, një emër që sot është bërë sinonim i besimit, cilësisë dhe korrektësisë në këtë zanat.
Që prej asaj kohe, ai e mban këtë lokal me përkushtim, nder dhe respekt ndaj çdo klienti që ka kaluar pragun e tij.

I pari artizan i Malësisë së Bujanocit

Fizi është ndër të parët nga Malësia e Bujanocit që ka hapur një lokal argjendarie. Ai shpejt u kthye në pikë referimi për qytetarët e zonës, të cilët kishin një besim të madh në të, dhe ky besim ishte reciprok.

I njohur për natyrën e tij të dashur, mikpritëse dhe të buzëqeshur, Fizi është një njeri që nuk kthen askënd pa arsye. Kur është fjala për blerjet për dasma apo raste të veçanta, ai shprehet:
“Asnjë njeri nuk e kam kthyer për mungesë mjetesh.”

Besimi, mbi gjithçka

Fizi rrëfen raste kur u ka dhënë klientëve artikuj me vlerë të lartë, e më pas ka harruar t’i shënojë në fletore. Por ndershmëria e njerëzve ka bërë që ata të vinin vetë për të paguar. “Kam pasur shumë raste të tilla, edhe pse nuk e kam kujtuar më, por ata kanë ardhur e më kanë paguar,” thotë ai.

Edhe pse ka pasur edhe raste kur borxhet nuk janë kthyer, ai nuk dëshiron t’i përmend, duke treguar modesti të rrallë:
“Punët e hajrit nuk bëhen për lavde, por për hir të Zotit.”

I përkushtuar ndaj kauzave njerëzore

Gjatë periudhës së vështirë para luftës, Fizi ishte cak i shpeshtë i kontrollimeve dhe bastisjeve nga pushteti i atëhershëm. Ai beson se kjo ndodhte për shkak se ndihmonte shoqatat humanitare shqiptare, mbante familje në nevojë, dhe kontribuonte në aktivitete atdhetare.

Gjatë luftës, Fizi ka strehuar dy familje në shtëpinë e tij, mirëpo për këtë nuk dëshiron të flasë publikisht.
“Ato punë janë bërë në kohën kur ka pasur nevojë, kur është kërkuar ndihma. Nuk kemi pse të rrahim gjoks,  janë bërë për hir të Zotit dhe për njerëzit që kanë qenë në vështirësi”, shprehet ai me përulësi.

Një trashëgimi e ndritur

Sot, pas mbi katër dekadash punë, Fizi vazhdon të jetë një emër i respektuar në komunitet. Lokalin e tij të argjendarisë tashmë e menaxhon djali i tij, që megjithëse ka përfunduar shkollim superior, ka zgjedhur me përkushtim të ndjekë rrugën e të atit. Të katër fëmijët e tij janë të shkolluar, duke lënë një trashëgimi të shëndetshme, të edukuar dhe me vlera të forta familjare.

Artizani që farkëtoi më shumë se arin: besimin, nderin dhe shpirtin njerëzor

Në një botë që shpesh i vlerëson njerëzit për pasurinë që kanë, figura si Hafiz Emërllahu na rikujtojnë se pasuria më e madhe është nderi, besimi dhe puna me zemër. “Fizi” nuk ndërtoi vetëm një biznes, ai ndërtoi një emër që përfaqëson ndershmërinë, mjeshtërinë dhe dashurinë për njerëzit. Emra të tillë mbesin, edhe kur dyqanet mbyllen, edhe kur vitet ikin, sepse vlerat e vërteta nuk plaken kurrë.

 

 

Shpërndaj me të tjerët