Ish-drejtori i Policisë, Reshat Maliqi, reagon pas tragjedisë në Gjilan

Ish-drejtori i Policisë së Kosovës, Reshat Maliqi, ka reaguar në profilin e tij në Facebook pas vrasjes së trefishtë që ndodhi dje në Gjilan. Ai ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta për familjarët e viktimave dhe ka theksuar nevojën për shtim të kontrollit ndaj personave që merren me veprimtarinë e fajdeve për të parandaluar tragjeditë e ardhshme.

“Vrasjet e djeshme në Gjilan na tronditën të gjithëve. Shfrytëzoj rastin t’u shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjarëve të viktimave, ndërsa të lënduarve u dëshiroj shërim të shpejtë dhe të suksesshëm,” ka thënë Maliqi.

Ai ka nënvizuar ndikimin e rëndë që kanë ngjarje të tilla në ndjenjën e sigurisë publike, sidomos në qytete që janë njohur për qetësinë e tyre. Maliqi ka paralajmëruar se mungesa e një reagimi të shpejtë dhe efektiv nga organet e rendit dobëson besimin në sistemin e drejtësisë.

“Për të parandaluar përkeqësimin e kulturës së sigurisë, është e domosdoshme që institucionet e zbatimit të ligjit të bëjnë vlerësim të kërcënimeve dhe rreziqeve para se të ndodhë më e keqja,” ka thënë ai.

Në fund, Maliqi ka bërë thirrje për transparencë, hetime të shpejta dhe masa parandaluese, si dhe për forcimin e bashkëpunimit me qytetarët për kapjen dhe ndëshkimin e autorëve.

 

 

Shpërndaj me të tjerët