Sot është dita e fundit për dorëzimin e listave të kandidatëve për këshilltarë komunalë, mirëpo shumica e partive ende nuk i kanë bërë publike plotësisht emrat.
Kjo lidhet si me strategjitë zgjedhore, ashtu edhe me përpjekjet për të përfshirë personalitete që tërheqin vota.
PDK dhe AAK kanë qenë të parat që nisën prezantimin e kandidatëve, me fokus të veçantë te të rinjtë për të mobilizuar elektoratin.
Ndërkohë, LDK dhe VV kanë pritur deri në ditët e fundit, duke u përballur, sipas burimeve, me vështirësi në përmbylljen e listave përfundimtare, për shkak të synimit për të përfshirë figura me autoritet në komunitet.
Në këtë garë futen edhe parti lokale, si Lëvizja Vatra, Bashkimi për Ndryshim Anamorava dhe Partia Guxo, që në Gjilan garon ndaras nga LVV, por as nga këto subjekte nuk ka publikime listash.
Një tjetër pikë tensioni është gara për pozitën e bartësit të listës, e cila në sistemin aktual garanton automatikisht një vend në Kuvendin Komunal dhe përfiton të gjitha votat e partisë.
Disa këshilltarë aktualë kanë refuzuar të rikandidojnë, ndërsa partitë hezitojnë të lënë jashtë emra që u kanë sjellë fitore më parë.
Këtë vit, gara në Gjilan pritet të jetë e fortë dhe e paparashikueshme, pasi në zgjedhjet lokale ndikimi individual i kandidatëve në komunitet mbetet vendimtar.
Partitë po e shfrytëzojnë deri në minutën e fundit afatin ligjor për të dorëzuar listat që, sipas tyre, do t’i çojnë drejt fitores.