Në rrjetet sociale shpërthen pakënaqësia ndaj trajnerit dhe lojtarëve të Gjilanit

 

Pas disfatës së Gjilanit kundër Dukagjinit në Klinë me rezultat 2:0, kanë shpërthyer kritikat e mëdha ndaj trajnerit Ardian Nuhiut dhe lojtarëve të këtij klubi, përjashtuar Armedn Thaçin.

Në rrjete tifozët theksojnë se kjo ishte zhgënjimi i dytë radhazi, ngase edhe në ndeshjen e parë kundër Ballkanit në Gjilan, skuadra arriti vetëm të barazojë, pa shpërfaqur lojë bindëse.

Në këto komente dhe kritika më së shumti potencohet mosangazhimi, mungesa e agresivitetit dhe shpirtit luftarak, duke u cilësuar lojtarë pa zemër e pa motiv, që nuk fituan asnjë duel dhe vetëm u sollën në fushë.

Edhe trajneri ka marrë shumë kritika, sidomos për taktikën e lojës, formacionin dhe zëvendësimet. Në veçanti tifozët kanë reaguar për moszëvendësimin e Aganspahiqit, i cili sipas tyre nuk dha asgjë gjatë 90 minutave.

Ata kanë kërkuar që kryesia sa më shpejt të analizojë ndeshjen dhe të marrë hapa konkretë për të mirën e klubit, duke kërkuar madje edhe largimin e trajnerit Nuhiu.

Gjilani sivjet ka qenë ekipi më aktiv në merkato, duke sjellë shumë lojtarë, por sipas tifozëve, një pjesë e tyre janë të konsumuar dhe pa motiv shtesë. Në fund, mesazhi kryesor i tyre ishte i qartë: ata që marrin paga duhet ta justifikojnë me lojë dhe angazhim fanellën që e mbajnë.

 

Shpërndaj me të tjerët