Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, priti sot komisionerin e lartë të OSBE-së për Pakicat Kombëtare, Christophe Kamp, të shoqëruar nga ambasadori Gerard McGurk, shef i Misionit të OSBE-së në Kosovë, si dhe Igli Totozani, drejtor i Zyrës Rajonale të OSBE-së në Gjilan.
Në fjalën e tij, kryetari Hyseni e falënderoi komisionerin për vizitën e parë në Komunën e Gjilanit dhe për angazhimin e tij të vazhdueshëm në mbështetje të komuniteteve.
“Pata kënaqësinë të mirëpres në takim komisionerin e lartë të OSBE-së për Pakicat Kombëtare, Christophe Kamp. Diskutuam mbi angazhimin tonë si qeverisje lokale, me theks tek bashkëpunimi dhe përfshirja e komuniteteve jo shumicë në jetën shoqërore dhe institucionale të qytetit tonë”, tha Hyseni.
Ai theksoi se tema qendrore e vizitës ishte puna me komunitetet jo shumicë, duke nënvizuar vlerësimin pozitiv që ka marrë Komuna e Gjilanit për këtë angazhim.
Nga ana e tij, komisioneri Christophe Kamp e vlerësoi lart qasjen gjithëpërfshirëse të Gjilanit, duke theksuar rëndësinë e sigurimit të qasjes së barabartë në shërbime cilësore për të gjitha komunitetet.
“Qeverisja e fortë lokale është garanci për progresin e të gjithëve”, u shpreh Kamp.