Kryqi i Kuq i Kosovës, dega në Kamenicë ka pranuar një donacion prej 142 palë atletesh nga një biznes nga Ferizaji. Ky donacion është dedikuar për nxënësit me kushte të rënda ekonomike të komunës së Kamenicës.
Lajmin e ka bërë publik sekretari i Kryqit të Kuq në Kamenicë, Rexhep Morina, i cili ka falënderuar donatorin për këtë gjest human e solidar.
“Ky kontribut do të lehtësojë nevojat e shumë fëmijëve dhe do të ndikojë pozitivisht në fillimin e vitit të ri shkollor”, ka thënë Morina, duke shtuar se Dega e Kryqit të Kuq në Kamenicë mbetet e përkushtuar të ndihmojë familjet dhe fëmijët në nevojë, duke u mbështetur gjithmonë në humanizmin dhe solidaritetin e qytetarëve dhe bizneseve bamirëse.