Mësuesi me përvojë 40-vjeçare në arsim, Ismet Shabani, aktualisht pensionist, ka rikujtuar sot, 1 shtatorin, fillimin e vitit të ri shkollor, duke e krahasuar me vitin kur ai ishte nxënës i klasës së dytë, në vitin shkollor 1956/57.
Në llogarinë e tij në Facebook, Shabani shpreh nostalgji për atë kohë, por edhe keqardhje për gjendjen e shkollës së dikurshme:
“Me përmallim, ky fillim viti shkollor më ktheu në vitin shkollor 1956/57, kur isha në klasë të dytë në Zarbicë. Sot nuk ka nxënës! Objekti i shkollës është rrafshuar dhe shndërruar në çerdhe zvarranikësh! Aty sot mbretëron qetësi varri… E dhimbshme!”
Ky kujtim i mësuesit Shabani na rikthen në kujtesën e një kohe kur shkolla ishte qendër e dijeve dhe komunitetit, ndërsa sot tregon pasojat e braktisjes dhe kalimit të viteve. Për fat të keq, sot shkolla nuk respektohet si institucion i rëndësishëm, vullneti për të mësuar është në rënie, dhe arsimi nuk merr mbështetjen dhe vlerësimin që meriton. Kujtimi i Shabanit na bën thirrje për reflektim dhe për të rikthyer dijen dhe respektin ndaj shkollës në qendër të vëmendjes.