Debatet në Serbi për rikthimin e shërbimit ushtarak të detyrueshëm kanë ngjallur shqetësim të madh tek shqiptarët e Luginës së Preshevës, sidomos tek të rinjtë, të cilët bartin kujtesën e dhimbshme të së kaluarës.
Kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, ka theksuar se rikthimi i këtij shërbimi është i rrezikshëm për shqiptarët dhe sjell në mendje periudha të errëta të së kaluarës.
“Për dekada, dhjetëra të rinj shqiptarë humbën jetën në rrethana të dyshimta gjatë shërbimit ushtarak në APJ, pa hetime dhe pa drejtësi. Sot është koha që ky kapitull i errët të zbardhet dhe viktimat të marrin drejtësinë që meritojnë”, ka deklaruar Sinani.
Në të njëjtën linjë është shprehur edhe deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, i cili paralajmëroi se kjo nismë është një kërcënim serioz për komunitetin shqiptar.
Ai ka bërë të ditur se në Kuvend ka dorëzuar propozimin për themelimin e një Komisioni të posaçëm, me mandat për të hetuar vdekjet e 135 ushtarëve shqiptarë në radhët e Armatës Popullore të Jugosllavisë gjatë viteve ’80.
“Shumë prej këtyre rasteve u regjistruan si vetëvrasje apo aksidente, por familjet kanë raportuar shenja dhune mbi trupat e viktimave. Mungesa e hetimeve të pavarura dhe diskriminimi institucional kanë lënë plagë të thella tek shqiptarët e Luginës”, tha Kamberi.
Sipas tij, zbardhja e këtyre rasteve dhe sigurimi i drejtësisë për viktimat janë domosdoshmëri për pajtim dhe për një të ardhme më të drejtë e më të barabartë për të gjithë qytetarët.