Surdulli kërkon përkrahjen e qytetarëve : “Votën tuaj do ta mbroj me dinjitet e përgjegjësi”

 

Kandidati për këshilltar komunal nga radhët e PDK-së në Gjilan, Shefik Surdulli, ka kërkuar mbështetjen e qytetarëve në zgjedhjet e ardhshme, duke premtuar se votën e tyre do ta mbroj me dinjitet, profesionalizëm dhe përkushtim ndaj interesit publik.

Në një adresim drejtuar qytetarëve të Gjilanit, Shefik Surdulli ka falënderuar të gjithë ata që i kanë shprehur besim dhe përkrahje, duke përfshirë gjeneratat e vjetra dhe të reja të PDK-së, veteranët e UÇK-së, studentët, mësimdhënësit, përfaqësuesit e kulturës, artit e sportit, afaristët, pensionistët dhe qytetarët pa dallim përkatësie partiake.

“Faleminderit për mbështetjen që po më jepni. Ky besim është vlerësim për kontributin tim të deritanishëm për vendin dhe për Gjilanin tonë, por është edhe përgjegjësi që ta mbroj e ta çoj përpara me seriozitet,” është shprehur Surdulli.

Ai theksoi se në Kuvendin Komunal do të jetë përfaqësues i denjë i qytetarëve, i përkushtuar për mbrojtjen e interesit publik dhe shërbimin ndaj komunitetit.

“Kërkesat e qytetarëve janë modeste dhe të drejta. Unë mundem, dua dhe do t’i përmbush ato me nder dhe përgjegjësi,” ka shtuar ai.

Në përfundim të fjalës së tij, kandidati i PDK-së bëri thirrje për vazhdimësi të përkrahjes.

“Ju ftoj të qëndroni pranë meje me besim dhe përkrahje, sepse vetëm së bashku mund ta forcojmë edhe më shumë zërin tonë dhe të ndërtojmë një të ardhme më të mirë për Gjilanin,” përfundoi Surdulli.

 

 

Shpërndaj me të tjerët