Pas fillimit të renovimit të Spitalit Rajonal në Gjilan, repartet e këtij institucioni janë zhvendosur nëpër hapësira të tjera, por kjo ka krijuar probleme të mëdha për pacientët dhe stafin mjekësor.
Më shqetësues është fakti se Emergjenca është vendosur në hollin e Spitalit Gjinekologjik, ku hapësirat që normalisht duhet të ishin ordinanca të veçanta për mjekët specialistë, janë ndarë thjesht me perde.
Çdo britmë dhimbjeje, çdo diagnozë e thënë nga mjekët, madje edhe momentet tragjike të ndërrimit të jetës, dëgjohen nga të gjithë të pranishmit. Kjo skenë është për shumëkënd tronditëse dhe tmerruese, duke krijuar ndjenja frike dhe ankthi tek pacientët dhe familjarët e tyre.
Në këto kushte, pacientët trajtohen pa privatësi dhe stafi mjekësor e ka shumë më të vështirë të kryejë punën profesionale.
Kjo gjendje e papërshtatshme jo vetëm që krijon pasiguri dhe ankth tek pacientët, por edhe e rëndon atmosferën e punës për mjekët dhe infermierët, të cilët janë të detyruar të operojnë në kushte të kufizuara dhe jo adekuate.
Qytetarët shprehen të shqetësuar dhe pyesin pse nuk është menduar për një zgjidhje më të përshtatshme, që të mundësonte kushte më dinjitoze për një repart kaq të rëndësishëm si Emergjenca.
Është e nevojshme që institucionet kompetente të reagojnë dhe të shqyrtojnë nga afër këtë situatë, duke marrë masa urgjente për të ofruar kushte më të mira si për pacientët, ashtu edhe për personelin shëndetësor.