Drita nis aventurën europiane: Organizim perfekt dhe atmosferë pozitive për ndeshjen ndaj KuPS

 

Skuadra kampione e Kosovës, Drita e Gjilanit, ka nisur aventurën e saj të parë në fazën e grupeve të UEFA Conference League, me ndeshjen kundër KuPS që do të luhet të enjten në orën 18:45, në Tammela Stadion – Tampere të Finlandës.

Ajo që bie menjëherë në sy është organizimi perfekt dhe përkushtimi i jashtëzakonshëm i stafit.

Çdo detaj është planifikuar me minutë: nga përgatitja e veshmbathjes sportive nga ekonomët e klubit, koordinimi i autobuzit për në aeroport, deri te stafi teknik dhe lojtarët.

Drita ka treguar gjithashtu kujdes maksimal për median, duke ftuar 6 përfaqësues të mediave lokale dhe duke u mundësuar atyre qasje të rregulluar për të dokumentuar çdo moment.

Ky është një shembull i qartë i transparencës dhe profesionalizmit që e dallon klubin kosovar në nivel ndërkombëtar.

Në orën 16:10, aeroplani mori drejtimin për Tampere, me një fluturim prej 3 orë e 10 minutash.

Gjatë gjithë kohës, stjuardesat dhe disa të rinj nga ekipi i Dritës ofronin pandërprerë pije, kafe, çaj, lëngje dhe ushqim, duke u kujdesur që çdo udhëtar të ndihej komod dhe i mirëpritur.

Çdo kërkesë përshkonte menjëherë, dhe shërbimi nuk pushoi për asnjë moment gjatë fluturimit, duke siguruar një udhëtim të këndshëm dhe të organizuar në çdo detaj.

Pas mbërritjes në aeroport, autobusi i çoi lojtarët dhe stafin në hotelin e rezervuar, 40 km larg, ku akomodimi dhe darka u organizuan me përpikëri. Ditën e mërkurë  gjithçka do të zhvillohet sipas programit: mëngjes, dreka, stërvitje dhe një konferencë për mediat, ku gazetarët do të kenë mundësi të filmojnë ekskluzivisht 15 minuta.

Ky nivel i lartë organizimi, përkujdesi për lojtarët, stafin dhe mediat, dhe atmosfera pozitive brenda ekipit, japin sinjal të qartë se Drita është e gatshme për sfidën europiane.

Me këtë qasje, skuadra e Gjilanit nuk kërkon vetëm të luajë, por edhe të tregojë se si një klub kosovar mund të arrijë standarde të larta dhe të përfaqësojë dinjitetshëm Kosovën në arenën ndërkombëtare.

 

Shpërndaj me të tjerët