Policia e Kosovës ka bërë të ditur se është dorëzuar i dyshuari J.I. (1987), shtetas i Kosovës, i cili akuzohet për përfshirje në rastin e vrasjes së rëndë të ndodhur më 18 shtator 2025 në fshatin Debëlldeh të Vitisë.
Sipas njoftimit, Njësiti i Hetimeve të Përgjithshme nga Sektori Rajonal i Hetimeve në Gjilan, përmes veprimeve të vazhdueshme hetimore, intervistave, masave të veçanta operative dhe kontrolleve të shpeshta në lokacione të dyshuara, ka arritur të ushtrojë presion që besohet se çoi në dorëzimin e të dyshuarit më 1 tetor 2025.
I dyshuari është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës dhe, me vendim të Prokurorit të Shtetit, është ndaluar për 48 orë në qendrën e mbajtjes.
Hetimet për këtë rast po vazhdojnë në koordinim të ngushtë me Prokurorinë e Shtetit.