“Arsimi na bashkon”, vizitë e shkollave nga Presheva dhe Kumanova në “Mulla Idris Gjilani”
Shkolla fillore “Mulla Idris Gjilani” në Velekincë ka pritur në një vizitë të veçantë shkollën fillore “Ibrahim Kelmendi” nga Presheva dhe shkollën fillore “Bajram Shabani” nga Kumanova, me moton “Arsimi na bashkon”.
Ky aktivitet dëshmoi se kultura, arsimi dhe sporti janë ura që lidhin njerëzit përtej kufijve.
Në këtë ngjarje morën pjesë kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, drejtori i Arsimit, Shpend Nuhiu, kryetari i fshatit Skënder Bajrami, si dhe përfaqësues të komunitetit.
Drejtori i shkollës, Zaim Zymeri, theksoi rëndësinë e bashkimit përtej kufijve, duke u shprehur se “kufijtë gjeografikë mund të na ndajnë në harta, por kurrë në zemër e shpirt”.
Kryetari Hyseni përgëzoi organizimin dhe theksoi se komuna do të vazhdojë ta mbështesë arsimin dhe aktivitetet e ngjashme.
Ndërsa drejtori i Arsimit, Shpend Nuhiu, shtoi se arsimi dhe kultura nuk njohin kufij, duke vlerësuar vizitën si një shembull të bashkëpunimit mes komuniteteve.
Nga ana tjetër, përfaqësuesit e shkollave mysafire, Fitim Nuhiu dhe Fatmir Ebibi, theksuan se arsimi dhe vlerat e përbashkëta janë ura që na lidhin të gjithëve.
Programi i ditës u pasurua me aktivitete kulturore e artistike si kori, recitale dhe dramë, si dhe me aktivitete sportive në volejboll e basketboll, ku mbizotëroi fryma e miqësisë dhe respektit të ndërsjellë.
Në fund u ndanë mirënjohje për mysafirët dhe bashkëpunëtorët, si shenjë respekti e falënderimi. Aktiviteti u mbështet nga partnerë të ndryshëm lokalë, të cilët kontribuan në realizimin e tij.