Task Forca “Lindje”, e përbërë nga Dogana dhe Policia e Kosovës, ka vijuar angazhimet e saj në parandalimin e kontrabandës dhe aktiviteteve të paligjshme përgjatë kufirit me Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Më datë 06.10.2025, në rrugën Viti–Gerlicë, njësitet e Task Forcës kanë ndaluar një automjet furgon me targa vendore, i cili dyshohej se ishte i ngarkuar me mallra të kontrabanduara të sjella përmes rrugëve ilegale.
Gjatë kontrollit të automjetit, që drejtohej nga U.U., 29-vjeçar nga Vitia, është konstatuar se në furgon ndodheshin mallra pa dokumentacion përkatës mbi prejardhjen e tyre, si:
- 40 thasë fara, me peshë nga 25 kg secili (gjithsej 1,000 kg);
- 50 pako kumbulla të terura, me peshë nga 10 kg secila (gjithsej 500 kg).
Sipas vlerësimeve të tregut, vlera e përgjithshme e mallrave të kontrabanduara kalon shumën prej 10,000 eurosh, pa përfshirë shmangiet tatimore dhe doganore.
Rasti është dorëzuar për procedim të mëtejmë nga njësitet përkatëse të Doganës së Kosovës, ndërsa malli dhe automjeti janë sekuestruar dhe dërguar në terminalin doganor për verifikim të mëtejshëm.