Pas një periudhe intensive hulumtimesh dhe bisedimesh me disa trajnerë nga Kosova dhe Shqipëria, SC Gjilani ka vendosur t’ia besojë drejtimin e skuadrës ish-mbrojtësit të Kombëtares shqiptare, Debatik Curri.
Vendimi është konfirmuar nga kryetari i klubit, Fatlum Pireva.
Curri, i njohur për karrierën e tij të gjatë dhe të suksesshme si futbollist, ka qenë ndër mbrojtësit më të qëndrueshëm të Shqipërisë.
Si trajner, ai ka shërbyer si ndihmës në Prishtinë dhe për një periudhë të shkurtër në Suharekë, ndërsa me Prishtinën ka drejtuar disa ndeshje duke arritur të fitojë Kupën e Kosovës , një arritje që dëshmoi potencialin e tij në bankinë.
Në Gjilan, Curri pritet të sjellë disiplinë, stabilitet dhe frymë garuese, me synimin për të rikthyer rezultatet pozitive dhe për të rritur konkurrencën brenda ekipit.
Klubi beson se përvoja e tij si futbollist i nivelit të lartë dhe qasja profesionale do të ndikojnë ndjeshëm në performancën e skuadrës, e cila tashmë përbëhet nga lojtarë me cilësi dhe përvojë të konsiderueshme.