Komuna e Gjilanit ka ofruar mbështetjen më të madhe ndonjëherë për artistët, sportistët dhe të rinjtë gjatë viteve të fundit.
Kështu ka bërë të ditur kryetari i Komunës, Alban Hyseni, i cili ka theksuar se vetëm gjatë mandatit të parë janë ndarë mbi 1.5 milion euro përmes 20 thirrjeve publike në fushat e kulturës, rinisë dhe sportit.
“Artistët, sportistët dhe të rinjtë e Gjilanit asnjëherë më parë nuk kanë pasur një përkrahje të tillë”, ka deklaruar Hyseni, duke theksuar se përkrahja financiare dhe institucionale është pjesë e strategjisë komunale për zhvillimin e kapaciteteve lokale në këto fusha.
Sipas tij, Komuna e Gjilanit do të vazhdojë me mbështetje edhe më të madhe në vitet në vijim, duke i konsideruar kulturën, sportin dhe rininë si shtylla të identitetit qytetar dhe faktorë të rëndësishëm të zhvillimit shoqëror.
“Kultura, rinia dhe sporti janë identiteti i Gjilanit tonë, prandaj do të vazhdojmë të investojmë në ta, për t’u mundësuar të rinjve dhe komuniteteve tona më shumë mundësi zhvillimi, pjesëmarrjeje dhe suksesi”, ka shtuar Hyseni.
Kjo nismë e Komunës së Gjilanit është pritur pozitivisht nga komuniteti lokal, duke u cilësuar si një hap konkret drejt forcimit të bazës kulturore, sportive dhe rinore në qytet.

