Gjyqtari i basketbollit nga Gjilani, Arian Kurtalani, ka qenë pjesë e treshes së gjyqtarëve në ndeshjen ndërkombëtare ndërmjet KB Go+ Peja të Kosovës dhe BC Spartak Pleven nga Bullgaria, e zhvilluar në kuadër të European North Basketball League (ENBL).
Ndeshja e mbrëmshme përfundoi me fitoren e pejanëve me rezultat bindës 96–81, ndërsa për Kurtalanin, referimi në këtë nivel garash përbën një moment të veçantë në karrierën e tij.
“Pas një pune të gjatë në këtë drejtim, natyrisht që ndihesh mirë kur puna vlerësohet. Deri më tani, asnjë gjyqtar nga Gjilani nuk ka ndarë drejtësi në një nivel të tillë ndërkombëtar”, është shprehur Kurtalani, i cili njëkohësisht është edhe refer me licencë A, kusht që mundëson përfshirjen në listën e gjyqtarëve të ENBL-së.
Ndeshja u drejtua nga treshja: Elldin Uglari (Kosovë), Vladimir Zanev (Bullgari) dhe Arian Kurtalani (Kosovë). Sipas rregullave të ENBL-së, zakonisht dy gjyqtarë janë vendas, ndërsa një vjen nga ekipi mysafir.
Kurtalani ka mbi 10 vite përvojë në ndarjen e drejtësisë në basketbollin kosovar dhe më parë ka qenë edhe basketbollist aktiv i KB Drita në Gjilan.


