Arbër Ismajli: “Bashkë për Gjilanin e Ri”, takim i ngrohtë me banorët e Velekincës
Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të Komunës së Gjilanit, Arbër R. Ismajli, ka zhvilluar një takim me banorët e fshatit Velekincë, në një atmosferë të ngrohtë dhe plot energji pozitive.
Në këtë tubim, Ismajli u shpreh mirënjohës për mikpritjen dhe përkrahjen e madhe që po i jepet projektit të tij për “Gjilanin e Ri”.
“Sonte pata nderin dhe kënaqësinë e madhe të jem në mesin e banorëve të Velekincës, në një atmosferë plot respekt e bashkëbisedim të hapur. Ju falënderoj nga zemra për mikpritjen dhe për mbështetjen tuaj për procesin e të dielës,” tha Ismajli.
Ai shprehu falënderim të veçantë për kryetarin e Këshillit të fshatit, z. Skënder Bajrami, si dhe për gjithë banorët e Velekincës për angazhimin e tyre në proceset e rëndësishme politike që po zhvillohen në komunë.
Ismajli u bëri thirrje qytetarëve që të dalin masovisht në zgjedhjet e 9 nëntorit, duke theksuar rëndësinë e përkrahjes së projektit të tij për zhvillim, punësim dhe barazi në çdo lagje e fshat të Gjilanit.
“Pas fitores, do t’i funksionalizojmë të gjitha Këshillat e fshatrave dhe do ta trajtojmë me prioritet çdo kërkesë që vjen nga ju. Velekinca dhe çdo fshat i komunës do të kenë zërin e tyre të dëgjuar dhe vendimmarrës,” u shpreh Ismajli.
Takimi u përmbyll me mesazhin e tij:
“Bashkë për Gjilanin e Ri!”

