Kur fusha e betonit rrinte gjallë nga zëri i tifozerisë
Fusha e betonit, që dikur gjallëronte nga britmat e gëzimit dhe trokitja e hapave të sportistëve, sot rri e heshtur, e shndërruar në një vend-parking për mjete motorike. Vështirë ta besosh se mbi këtë sipërfaqe luanin dikur hendbollistët legjendarë të Bozhurit dhe basketbollistët e Mladostit.
Në atë kohë, mjaftonte një ndeshje e hendbollit që të dyja tribunat të mbusheshin plot e përplot me shikues.
Bozhuri garonte në ish–ligën e dytë federative të Jugosllavisë, dhe çdo ndeshje ishte festë, energji dhe krenari.
As basketbolli nuk mbetej pas, ekipi i Mladostit i sillte gjilanasit në shkallë, duke krijuar një atmosferë që sot duket thuajse e pabesueshme.
Zhurma e tifozerisë, brohoritjet, emrat që thërriteshin me pasion dhe emocioni që përhapej në ajër e shndërronin atë fushë të thjeshtë betoni në një tempull të sportit.
Ishte një kohë e bukur… një kohë që mbetet gjallë në kujtesën e atyre që e përjetuan.

