Pas përfundimit të ceremonisë festive të organizuar nga Komuna e Gjilanit me rastin e 15 Qershorit 1999 – Ditës së Çlirimit të Gjilanit, ish-zëdhënësi i UÇK-së për Zonën e Karadakut, Ismet Sylejmani, ka realizuar një vizitë te familja Malaj në Gjilan, duke ndarë rrëfime të dhimbshme, por edhe frymëzuese për qëndresën e shqiptarëve gjatë okupimit serb.
Gjatë vizitës te atdhetari Hasan Malaj, vëllai i heroit kombëtar Rexhep Mala, bashkëshortja e tij, znj. Rexhie Malaj, ka rrëfyer një pjesë të vuajtjeve dhe përjetimeve të familjes gjatë regjimit gjenocidal serb në Kosovë.
Rrëfimi i saj u cilësua si një dëshmi e gjallë e sakrificave, dhimbjeve dhe qëndresës së popullit shqiptar në vitet më të rënda të okupimit.
Takime të tilla shërbejnë si kujtesë se liria që gëzon sot Kosova është fryt i një rruge të gjatë sakrificash, vuajtjesh dhe rezistence të pandërprerë për çlirim, liri dhe pavarësi.
