Dy medalje bronzi për Kosovën në Olimpiadën Ndërkombëtare të Gjeometrisë – IGO
Vesa Xhymshiti nga Gjilani është fituese e njërës nga dy medaljet e bronzta të Kosovës në Olimpiadën e 12-të Ndërkombëtare Iraniane të Gjeometrisë (IGO), e cila është mbajtur më 18 tetor, me pjesëmarrjen e garuesve nga mbi 40 shtete të botës.
Medaljen e dytë të bronztë për Kosovën e ka fituar Ajan Hajrullahu, nxënës i klasës së 12-të nga Presheva, i cili ndjek mësimet në New York School of Science in Kosova (NYSS).
Këta dy nxënës i kanë sjellë Kosovës dy medalje në një garë prestigjioze, mjaft konkurruese dhe të vështirë, duke e përfaqësuar denjësisht vendin në arenën ndërkombëtare të matematikës.
Vesa Xhymshiti tash e një vit është nxënëse e rregullt e shkollës NYSS në Prishtinë, ndërsa më herët ka qenë nxënëse në Gjilan, ku është shpallur fituese e shumë garave komunale dhe kombëtare të matematikës.
Suksesi i saj në këtë olimpiadë vlerësohet si arritje e jashtëzakonshme, duke pasur parasysh faktin se ajo është vetëm në klasën e 8-të dhe ka të drejtë pjesëmarrjeje deri në përfundimin e klasës së 12-të.
Ky sukses i dy nxënësve është bërë i ditur nga Shoqata e Matematikanëve të Kosovës, e cila i ka uruar dhe përgëzuar anëtarët e ekipit të Kosovës për rezultatin e arritur dhe përfaqësimin dinjitoz të shtetit në këtë olimpiadë prestigjioze.
Shoqata e Matematikanëve të Kosovës ka theksuar se mbetet e përkushtuar të kontribuojë me të gjitha kapacitetet dhe mundësitë në dispozicion për të mbështetur talentet e reja në fushën e matematikës.


