SHKA “Karadaku” nga Gjilani ka shkëlqyer në Festivalin e Këngëve dhe Valleve “Talentet e Rinj”, të organizuar në komunën e Drenasit, duke rrëmbyer vendin e parë dhe duke magjepsur publikun dhe jurinë me elegancë, energji dhe shpirt autentik artistik.
Lajmin për këtë sukses e ka bërë të ditur Lorikë Sulejmani, drejtoreshë e SHKA “Karadaku”, e cila ka vlerësuar se ky çmim është pasqyrë e talentit të pastër, punës së palodhshme dhe dashurisë së thellë për traditën shqiptare.
“Urime nga zemra për këtë fitore të artë dhe për një të ardhme plot suksese”, ka shkruar ajo.
Me këtë rast, drejtoresha Sulejmani ka falënderuar prindërit e anëtarëve të shoqërisë për bashkëpunimin e vazhdueshëm, si dhe asistenten Laurita Sylejmani për përkushtimin dhe kujdesin e palodhur.
Po ashtu, ajo ka shprehur mirënjohje të veçantë për drejtorin e festivalit për ftesën dhe mikpritjen, si dhe për jurinë profesionale për vlerësimin e dhënë.

