Kampioni i karatesë Elhami Shabani doktoron në shkencat sportive

Kampioni i karatesë Elhami Shabani doktoron në shkencat sportive
Kampioni i shumëfishtë i Kosovës në karate dhe njëherësh mësimdhënës i Edukatës Fizike, Elhami Shabani, ka përmbyllur me sukses shkollimin e tij superior, duke marrë gradën shkencore Doktor i Shkencave Sportive (Dr. sc.).
Lajmin e ka bërë të ditur vetë Shabani përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ku ka ndarë reflektime nga ky rrugëtim i rëndësishëm akademik.
“Me përkushtim, disiplinë dhe këmbëngulje, sot përmbylla një nga arritjet më të rëndësishme të rrugëtimit tim akademik,  doktoratën. Ky sukses është fryt i viteve të punës së palodhur, sakrificës dhe vendimit për të mos u dorëzuar kurrë, pavarësisht vështirësive”, ka shkruar Shabani.
Ai ka theksuar se doktorata ishte më shumë se një proces studimi, duke e cilësuar si provë karakteri, durimi dhe force mendore, ku çdo sfidë e ka forcuar dhe e ka afruar më shumë drejt qëllimit.
Në mesazhin e tij, Shabani ka falënderuar Zotin për forcën dhe udhëzimin, familjen për mbështetjen e pakushtëzuar, si dhe profesorët dhe mentorët për profesionalizmin dhe kontributin e tyre.
“Ky nuk është fundi, por fillimi i një kapitulli të ri me përgjegjësi më të mëdha dhe ambicie më të larta”, ka përfunduar Dr. sc. Elhami Shabani.

 

 

 

 

Shpërndaj me të tjerët