Remzi Leka, 40 vjet zë i muzikës popullore shqiptare

 

Në Teatrin e Gjilanit u mbajt një koncert solemn kushtuar 40-vjetorit të karrierës së Remzi Lekës, ikonë e muzikës popullore shqiptare.

Mbrëmja u hap me një dokumentar që pasqyroi rrugëtimin jetësor dhe artistik të këngëtarit gjilanas, i cili në këtë jubile shënoi edhe 60-vjetorin e lindjes.

Pamjet e shfaqura, rrëfimet dhe këngët më të njohura të repertorit të tij ngjallën emocione të forta te publiku, duke rikthyer kujtime nga dekada të tëra të muzikës popullore.

Remzi Leka vjen nga një familje me traditë muzikore.

Babai i tij ishte instrumentalist i kavallit, ndërsa vëllai i madh, Fehmi Leka, rapsod i njohur.

Hapat e parë në muzikë i bëri herët, duke qenë pjesë e Shoqërisë Kulturo-Artistike “Punëtori” në vitet ’80, e më pas edhe i Ansamblit “Gjilani”, ku u formua si një nga zërat më të dalluar të muzikës popullore.

Në nder të veprimtarisë së tij shumëvjeçare, në koncert interpretuan këngëtarë të njohur të muzikës popullore shqiptare: Farush Azemi, Ymer Bajrami, Ismet Bexheti, Xhezair Elezi, Agron Leka, Faruk Brestovci dhe Taria Shabani.

Momenti kulmor i mbrëmjes ishte ngjitja në skenë e vetë Remzi Lekës, i cili interpretoi disa nga këngët e tij më të dashura për publikun, ndërsa emocion të veçantë solli interpretimi familjar i këngës nga Fehmi, Remzi, Fevzi dhe Adnan Leka.

Për kontributin e tij të çmuar në muzikën popullore shqiptare, për çmimet dhe mirënjohjet e shumta të fituara gjatë karrierës, Remzi Leka u nderua nga Komuna e Gjilanit me një mirënjohje zyrtare.

Top of Form

 

Bottom of Form

 

 

Shpërndaj me të tjerët