Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, iu është drejtuar qytetarëve me një apel për kujdes në qarkullim, duke theksuar se sonte është një natë kritike për shkak të kushteve atmosferike.
“Kontrasti i madh i temperaturave, me parashikime që ato të zbresin deri në –9°C, paraqet rrezik të shtuar, pasi rrugët e lagura nga shiu pritet të ngrijnë,” tha Kurti.
Ai bëri të ditur se të gjitha kompanitë e mirëmbajtjes së rrugëve janë në terren për të lehtësuar qarkullimin, duke bërë thirrje që të respektohet ligji për sezonin dimëror, përkatësisht pajisja e automjeteve me goma dimërore dhe zinxhirë.
“U bëjmë thirrje të gjithëve që sonte të mos lëvizin nëse nuk është e domosdoshme. Nëse megjithatë duhet të qarkullojnë gjatë natës, vozitni me kujdes, duke u përshtatur me kushtet atmosferike,” tha kryeministri.
Ai shtoi se qeveria po bën maksimumin për t’u dalë në ndihmë qytetarëve dhe iu kërkoi të gjithë pjesëmarrësve në trafik që të kontribuojnë në rritjen e sigurisë duke shmangur lëvizjet e panevojshme.
