OriginAL – Programi që po i afron të rinjtë e diasporës me rrënjët shqiptare
Programi OriginAL, i zbatuar nga GERMIN në partneritet me Global Albanians Foundation, u ka dhënë të rinjve të diasporës më shumë se një përvojë dyjavore në Kosovë, Shqipëri dhe rajon.
Ai u ka dhënë ndjesinë e përkatësisë dhe të qenit në shtëpi.
Çdo vit, qindra të rinj të moshës 18–24 vjeç vijnë për dy javë për të jetuar, mësuar dhe reflektuar mbi origjinën e tyre.
Ata vizitojnë qytete historike, institucione publike e kulturore, marrin pjesë në diskutime, punëtori dhe takime me profesionistë dhe komunitete lokale.
Për shumë prej tyre, ky është kontakti i parë i vërtetë me vendin e prindërve apo gjyshërve, jo si vizitorë, por si pjesë e historisë së tij.
Ndikimi i programit
Mbi 250 të rinj nga më shumë se 25 shtete kanë marrë pjesë
Tre pjesëmarrës janë rikthyer për të jetuar në vendin e origjinës, dy pjesëmarrës kanë fituar nënshtetësinë e Kosovës, dhjetëra janë angazhuar në praktika profesionale dhe iniciativa qytetare.
Histori si ajo e Christine, që zbuloi rrënjët shqiptare dhe forcoi ndjenjën e përkatësisë, apo e Mertit nga Turqia, i gjeneratës së tretë të diasporës me origjinë nga Kosova, dëshmojnë ndikimin e drejtpërdrejtë të programit.
Po ashtu, rrëfimi i Aurela Selimit nga Parisi dhe Kërçova tregon se OriginAL krijon lidhje që zgjasin përtej programit.
OriginAL dëshmon se të rinjtë nuk kthehen vetëm me kujtime, por me vendime, angazhim dhe lidhje të reja me vendin që e quajnë të tyrin.
